Hyrje në

pikturën klasike shqiptare

 English  |    Deutsch Shkolla e parë shqiptare e pikturës i hodhi themelet në fillim të shekullit të XX- të me pikturat e Kolë Idromenos (1860-1939) nga Shkodra, Spiro Xegës (1876- 1953) nga Korça, Andrea Kushit (1884-1959) nga Shkodra, dhe Simon Rrotës (1887-1961) nga Shkodra. Midis piktorëve të tjerë klasikë të mirënjohur të shekullit të XX-të janë: Vangjush Mio (1891-1957), Abdurrahim Buza (1905- 1986), Zef Kolombi (1907-1949), Sadik Kaceli (1914-2000), Nexhmedin Zajmi (1916-1991) dhe Guri Madhi (1921-1988). Studentët e rinj të Shkodrës ishin të parët që ia paraqiten vizatimet e tyre publikut, por si piktor ishte Vangjush Mio në Korçë i cili në vitin 1920 hapi ekspozitën e parë vetjake në Shqipëri. Mio paraqiti veprat e tij në Korçë edhe në vitin 1926 dhe në Tiranë në vitin 1928, duke u bërë kështu artisti i parë i suksesshëm shqiptar. Në maj të vitit 1931 u zhvillua ekspozita e parë të artit në nivel kombëtar në kafenë Kursal të Tiranës, në të cilën mori pjesë shumica e piktorëve dhe të skulptorëve të njohur. Kjo ekspozitë ishte një sukses i madh dhe frymëzoi në të njëjtin muaj krijimin e Shoqërisë Miqt’ e Artit, qëllimi i të cilës ishte themelimi i një pinakoteke kombëtare. Në janar të vitit 1932 u themelua në Tiranë edhe një shkollë vizatimi, mbështetur fillimisht nga Andrea Kushi dhe drejtuar më pas nga artisti italian Mario Ridola. Kjo shkollë frymëzoi dhe ndihmoi shumë piktorë të rinj. Ekspozita të mëtejshme u zhvilluan në qershor të vitit 1942 dhe pas pushtimit gjerman në prill 1945. Piktura shqiptare, sigurisht modeste në kontekstin evropian, gëzonte tashmë një traditë solide. Tradita e krijuar në artin shqiptar deri në Luftën e Dytë Botërore, u dëmtua rrënjësisht prej komunistëve të cilët erdhën në pushtet në vitin 1944 dhe i shtrënguan të gjithë artistët t’i nënshtroheshin doktrinës së realizmit socialist. Për artistët shqiptarë, në veçanti më e vështirë ishte dekada e trazuar politike e revolucionit kulturor të viteve 1966-1967, deri rreth vitit 1975, kur shumë piktorë u burgosën dhe punimet e tyre u shkatërruan. Kulmi i artit të realizmit socialist u arrit në fund të viteve 1970 dhe në vitet 1980 kur, përtej propagandës gjithëpërfshirëse, u prodhuan disa piktura më vlerë estetike dhe kur artistët filluan kujdesshëm të eksperimentonin në drejtime të ndryshme. Në periudhën socialiste u krijuan edhe institucione për mbështetjen e arteve. Në vitin 1945 u themelua në Tiranë shkolla e artit Jordan Misja dhe më pas u krijuan edhe shkolla të tjera në vend. Në shtator 1960 u themelua Instituti i Lartë i Arteve Figurative, i cili në vitin 1991 u bashkua me Akademinë e Shkencave. Në Kosovë, duhet thënë që artet patën një zhvillim të hovshëm vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, kur ajo ishte pjesë e Jugosllavisë socialiste. Filizat e parë të artit pamor u mbollën në Shkollën e Artit në Pejë, e cila u themelua në vitin 1949. Nxënësit më të mirë të kësaj shkolle vazhduan më tej studimet në akademitë e arteve të bukura në Beograd, Zagreb, Lubjanë, dhe më vonë, në Sarajevë. Në vitet 1960 u krijua dega e arteve të bukura në shkollën normale pedagogjike në Gjakovë, ndërsa në vitin 1974 u themelua edhe Akademia e Arteve të Bukura në Prishtinë. Piktura në fillim ishte më shumë një traditë akademike, ku shumica e profesorëve ishin edhe piktorë të cilët kishin studiot e tyre. Piktura, skulptura, dizenjo dhe artet grafike lulëzuan në vitet 1980, por me shpërbërjen graduale ekonomike dhe politike të Kosovës në vitet 1990 dhe “spastrimin” e shqiptarëve nga institucionet e galeritë gjatë regjimit serb, shumë artistë shkuan jashtë shtetit. Me rrëzimin e diktaturës, artistët shqiptarë - në Shqipëri dhe në Kosovë - ishin përsëri në gjendje t’u jepnin liri impulseve krijuese si brenda, po ashtu dhe jashtë vendit. Koleksioni më i madh i artit shqiptar ndodhet në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, por ka edhe koleksione me rëndësi në Korçë, Shkodër dhe Prishtinë.
Robert Elsie Arti Shqiptar
TOP