Veshje popullore shqiptare
në kartolinat e hershme
English |
Deutsch
Pasuria dhe shumëllojshmëria e veshjeve popullore shqiptare u fotografuan për
herë të parë në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të
njëzetë. Izolimi tradicional i shqiptarëve nga pjesa tjetër e Evropës bënë që
veshjet popullore të shfaqnin tipare të veçanta dhe shpesh të rralla, të cilat
mahnitën udhëtarët e parë evropianë. Në Malësinë e Veriut çdo fis, bile çdo
luginë dhe çdo fshat, kishte veshje të veta të cilat ishin të dukshme për
popullatën në përgjithësi. Veshjet popullore tregonin jo vetëm përkatësinë
fisnore dhe fetare, por edhe - për femrat në shumë raste - nëse gruaja në fjalë
ishte e martuar apo jo. Veshjet popullore shqiptare ishin në përdorim të
përgjithshëm deri në vitet ‘30, dhe në disa treva shqiptare edhe pas Luftës së
Dytë Botërore. Madje edhe në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të njëzetenjë
nuk është gjë e rrallë të shohësh gra të cilat përdorin veshje popullore përditë,
apo të paktën në ditën e pazarit. Kjo vlen në radhë të parë për Veriun e
Shqipërisë në rrethet e Shkodrës, të Malësisë së Madhe, të Lezhës dhe të
Mirditës, por veshjet shfaqen tek-tuk edhe në zonat e thella të Shqipërisë së
Jugut, të Kosovës, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë. Mirëpo, për fat të keq,
globalizimi po i zhduk këto veshje me shpejtësi të madhe.
Gjatë tre dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit të njëzetë fotografitë e veshjeve
popullore u shndërruan në kartolina dhe, si në vendet e tjera, këto të fundit u
futën në qarkullim për shitje. Kjo përmbledhje kartolinash të hershme na vjen
nga fondet e Qendrës për Studime Shqiptare (Centre for Albanian Studies) në
Londër, së cilës i jemi mirënjohës. Në fund duhet theksuar se kjo përmbledhje
ofron në radhë të parë kostumet e Veriut. Arsyeja e mungesës së veshjeve të
Jugut nuk është se ato janë më pak të bukura apo më pak interesante, por
thjesht sepse fotografët e parë dhe, rrjedhimisht, kartolinat e para erdhën nga
Veriu.